Milionat e Metës, Topallit dhe Berishës

Nga:Arben RROZHANI

Numri dy i shtetit, ai që zëvendëson presidentin në raste të jashtëzakonshme, vulosi pak ditë më parë një veprim antiligjor dhe cinik, duke prekur buxhetin e shtetit për të shpërblyer ata pak renegatë të administratës së Kuvendit, që e ndihmuan më 28 korrik 2005 diku për të rregulluar sallën te ish-Komiteti Qendror i PPSH-së, diku për ta përmbysur atë tek Namazgjaja. Shpërblimi i nëpunësve të administratës së Kuvendit jo vetëm që lë shije të hidhur tek shumë rrogëtarë buxhetorë që mezi shtyjnë 15-ditëshin, por edhe bëhet në këto ditë kur politika shqiptare ka mbetur tek seanca e 28 korrikut dhe kur opozita ka kërkuar që zgjidhja e krizës politike të nisë nga anulimi i seancës së paligjshme të mesnatës së 28 korrikut dhe vendimeve që janë marrë.

Marrja e milionave nga thesi i buxhetit për të shpërblyer hyzmetqarët bëhet në këto ditë kur në emër të këtij buxheti, shteti po mbyll njëra pas tjetrës shtypshkronjat ku printohen shumica e gazetave të përditshme në vend. Këshilltari kryesor i kryeministrit tha dje se shteti ka të drejtë që t’i mbyllë ato, sepse borxhi jo vetëm nuk është shlyer, por edhe është rritur vit pas viti dhe ky është borxh i një sipërmarrjeje private, me të cilën ka lidhur fatet e ekzistencës shtypi i shkruar në Shqipëri. Gazetat që duhet të raportojnë për këto zhvillime, pra nuk ka nevojë që të mbyllen me etapat e zakonshme të falimentit, sepse ato nuk dalin në treg po nuk u shtypën, duke mos e detyruar pushtetin që të përdorë metoda të dhunshme, të cilat kryeministri aktual ka ditur se do t’i përdorë shumë mirë. Por, kësaj radhe, kryeministri që nisi rënien kur ishte president, ka përdorur metoda më “demokratike” ndaj medias. Ndërsa nga njëra anë disa gazeta të reja, të përditshme, po hyjnë në treg duke shfrytëzuar mbështetjen e nëndheshme të pushtetit dhe duke përdorur fonde që vijnë nga trafiku i influencave, gazeta te tjera me përvojë të gjatë në treg detyrohen të mbijetojnë, duke tretur “dhjamin” e tyre. Ato nuk kanë patur mundësi reale të fitojnë në tregun e medias së shkruar në vend, që është kthyer një një treg të tipit “Gab” dhe duke mos paguar borxhet e akumuluara në shtypshronjat e Tiranës. Pronarë shtypshkronjash si ato që ka një shtetas nga Kosova, që ka preferuar të mos ikë nga Shqipëria ku u ngul që 14 vite më parë, kanë vërtet një borxh ndaj tatim-taksave, por ky borxh është shumë herë më i papërfillshëm se ato që shumë firma në vend i kanë borxh shtetit, por falë afërisë me të, vazhdojnë ta thellojnë evazionin fiskal.
Gjashtë vite më parë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, vendosi të ndihmojë me fonde gazetat e përditshme. Shumë prej të përditshmeve morën financime publike deri në 100 milionë lekë të vjetra, që kishte vlerë jo vetëm financiare, por edhe që tregonte një frymë perëndimore në qëndrimin ndaj shtypit të shkruar. Gazetat afër opozitës së atëhershme nuk pranuan t’i merrnin këto fonde legalisht, sepse PD-ja e quajti tentativë për të blerë shtypin, por drejtuesit e këtyre gazetave shfrytëzuan çdo mjet për t’i marrë fondet e qeverisë së majtë.
Ky mbetet shembulli i vetëm i ndihmës së qeverisë ndaj gazetave për të mbijetuar në një treg gjithnjë e më të kufizuar për mungesë të shpërndarjes gjeografike, problemeve financiare të redaksive gjithnjë e më të vogla dhe titujve që gjithnjë shtohen për të bërë trafik influencash.
Prej asaj kohe, qeveritë i kanë parë gazetat si pengesa për të qeverisur sipas oreksit të kryeministrave dhe të cilave u duhet mbyllur “goja”, thjesht edhe duke mos i lënë të dalin në treg për llogari të borxheve ndaj buxhetit të shtetit.

Shkruani nje pergjigje